Nga Komisioni Qendror Zgjedhor ka kohë vetëm edhe dy ditë për të aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e nëntë shkurtit. Brenda këtij afati është e përcaktuar edhe dërgimi i listës së emrave të kandidatëve për deputetë nga subjektet politike në Kosovë. Sipas KQZ-së, deri të hënën ka vetëm një aplikim nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.
Edhe dy ditë ka kohë që partitë politike në Kosovë të certifikohen për zgjedhjet e nëntë shkurtit.
E data 11 dhjetor është edhe afati i fundit për listat me emrat e kandidatëve për deputetë.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi deri të hënën pasdite vetëm një parti është regjistruar.
Elezi thotë se afati nuk ndryshon.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se brenda këtij afati do të dorëzojnë listën.
“Lëvizja Vetëvendosje dje ka përzgjedhur të nominuarin e saj si kandidat për Kryeministër, që është Albin Kurti dhe në përputhje me afatet e përcaktuara nga ana e KQZ-së do të dorëzojë me kohë edhe listën e kandidatëve për deputetë”
Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thanë se janë në përfundim të këtij procesi.
“Jemi te informuar dhe te përgatitur për aplikim përmes platformës elektronike. Jemi ne përfundim të procesit dhe brenda afatit te përcaktuar do te aplikojmë për certifikim”, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemaili.
Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.
Nga të gjithë partitë politike, vetëm LDK-ja ka treguar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e nëntë shkurtit.