Gjiganti amerikan i teknologjisë, Apple, raportohet se ka larguar apo fshehur disa podkaste në gjuhën ruse që ishin prodhuar nga gazetarë të pavarur.
Agjencia e lajmeve, Mediazona, raportoi më 14 nëntor se episodet e reja të radiostacionit online Ekho Moskvy dhe medias hulumtuese, The Insider, më nuk ishin të qasshme brenda Rusisë. Podkasti i Shërbimit në gjuhën ruse të BBC-së po ashtu duket se është prekur.
Episodet më të vjetra se një javë janë ende të qasshme, raportoi Mediazona, teksa të gjithë përdoruesit jashtë Rusisë ende kanë qasje në të gjitha episodet.