Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të hënën ka njoftuar se uji nga kanali i Ibër-Lepencit nga tani mund të përdoret për pije.
Sipas njoftimit rezultatet laboratorike për katër ditët e fundit kanë rezultuar brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar.
Që nga dita e parë e ngjarjes së fundit në kanalin Ibër-Lepenc, datë 29.12.2024, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë (QRSHP) ka forcuar monitorimin e ujit për pije në zonën e shërbimit të KRU “Prishtina” dhe KRU”Mitrovica”, në Impiantet e trajtimit në Shipol, Balincë, Drenas dhe Shkabaj.
Nga data 29 nëntor deri me 06 dhjetor janë aplikuar restrikcionet në rrjetet shpërndarëse të këtyre dy kompanive si pasojë e veprimeve të ndërmarra për sanimin e gjendjes në kanal. Bazuar në të dhënat nga KRU “Mitrovica” dhe KRU”Prishtina” me aktivizimin e By-pass, furnizimi me ujë nga kanali Ibër-Lepenc është stabilizuar në të gjitha Impiantet e lartëcekura për trajtimin e ujit, prandaj që nga data 07.12.24 nuk ka pasur restrikcione që nënkupton furnizim me ujë për konsumatorët për nevoja teknike (higjieniko-sanitare). IKSHPK gjatë këtyre ditëve nga të gjitha impiantet e lartëcekura ka marrë gjithsej 100 mostra të ujit për analiza fiziko-kimike, 100 për analiza bakteriologjike si dhe 13 mostra për analiza në metale të rënda (në ujin e pa trajtuar dhe ujin nga rrjeti shpërndarës).
Rezultatet laboratorike nga dy laboratoret , IKSHPK dhe QRSHP-Mitrovicë, për katër ditët e fundit (e premte, e shtunë, e diele dhe e hënë, 06-09 dhjetor-2024) rezultojnë brenda standardeve të parapara për ujin e pijes për të gjithë parametrat e kërkuar sipas UA 10/2021 ”Cilësia e Ujit të destinuar për konsum nga njeriu”. Prandaj bazuar në këto rezultate uji që nga sot (09.12.2024) mund të përdoret për pije”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndryshe, një shpërthim i fuqishëm më 29 nëntor shkaktoi një çarje të madhe në murin e kanalit në një fshat të Zubin Potokut, duke e rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji në pjesën më të madhe të vendit.
Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.